Shkolla e Magjistraturës, më datë 28 maj 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Shtyllat kryesore dhe funksionet e Konventës, mjetet në dispozicion dhe kuptimi i instituteve, fusha e zbatimit. Kuptimi i parimit të interesit më të lartë të fëmijës në rastet e rrëmbimit civil ndërkombëtar. Marrëdhëniet ndërmjet Konventës së Hagës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas jurisprudencës së GjEDNJ-së”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Aurela Anastas dhe Aida Bushati
Lehtësuese: Anjeza Buzo
Qëllimi i këtij trajnimi është: Zbatimi i konventave ndërkombëtare në juridiksionin civil e penal, për rastet që lidhen me aspekte të rrëmbimit civil ndërkombëtar të fëmijëve dhe marrjen e padrejtë të fëmijës. Drejtësi në përputhje me parimin e interesit më të lartë të fëmijës sipas Konventës Ndërkombëtare së Hagës për aspekte të rrëmbimit civil ndërkombëtar të fëmijës, si dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Njohuri mbi nevojën e një zbatimi të harmonizuar të Konventës së Hagës (1980) me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Detyrimet e nenit 8 KEDNJ dhe kthimi i fëmijës sipas Konventës së Hagës (1980). Sjelljet e autoriteteve kombëtare dhe shkeljet e nenit 8 të KEDNJ. Kufijtë e vlerësimit dhe interesi më i lartë i fëmijës sipas GJEDNJ. Masat efektive, afatet e procesit dhe mjetet efektive;
- Parimi i interesit më të lartë të fëmijës dhe i detyrimeve pozitive të shtetit në zbatim të Konventës së Hagës për aspekte të rrëmbimit civil ndërkombëtar të fëmijës, në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Diskutim mbi dialogun gjyqësor midis GJK dhe gjykatave të zakonshme, si dhe detyrimeve që burojnë për institucionet shtetërore përgjegjëse;
- Praktika gjyqësore shqiptare mbi Konventën e Hagës “Aspektet civile për rrëmbimin ndërkombëtar të fëmijës”.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.